NATO përmend Kosovën në deklaratë, Von Der Leyen: Ka plan të qartë për uljen e tensioneve

Nga A2 CNN
12 Korrik 2023, 15:42 | Kosova
NATO përmend Kosovën në deklaratë, Von Der Leyen: Ka plan

Kosova vijon të mbetet në vëmendje të zyrtarëve dhe liderëve që marrin pjesë në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, njoftoi se ekziston një plan shumë i qartë për uljen e tensioneve, duke sqaruar se bëhet fjalë për udhërrëfyesin për të cilin kanë punuar Prishtina dhe Beogradi që në fillim të këtij viti.

“Unë u bëj thirrje të dyja palëve të depërshkallëzojnë dhe t’i përmbahen udhërrëfyesit. Kjo është absolutisht thelbësore për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Të dyja palët duhet të përmbushin atë për të cilën janë pajtuar në Ohër”, tha Ursula Von Der Leyen.

Sakaq një fokus të veçantë Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosovës, i kanë kushtuar dhe liderë të tjerë të NATO-s. Në deklaratën e përbashkët të vendeve anëtare të aleancës, thuhet se mbështesin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe i ftuan palët që ta shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen në mirëbesim, drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike. Gjithashtu, theksohet se çdo ndryshim në numrin e ushtarëve të KFOR-it do të bëhet në bazë të kushteve dhe gjendjes në terren.

Në deklaratë, liderët e NATO-s konfirmuan rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për aleancën dhe përkushtimin për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të këtij rajoni. Vlerësohet se forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte në dobi si për aleancën, ashtu edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos