
Ligjvënësit britanikë aprovuan planin e kryeministrit Boris Johnson për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 12 dhjetor.
Johnson shpreson që përmes votimit të sigurojë shumicën e nevojshme për të përmbushur Brexit-in. Dhoma e Komunëve i dha dritën jeshile projektligjit të prezantuar nga qeveria e Boris Johnson për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 12 dhjetor. Në favor edhe partitë opozitare, përfshirë laburistët e Jeremy Corbyn, i cili tha se kjo ishte një mundësi e artë për transformimin e vendit.
Deri më tani, Corbyn kishte refuzuar të mbështeste planin e Johnson, duke vënë si kusht heqjen nga tryeza të divorcit pa ujdi. Pas vendimit të BE për të zgjatur afatin deri në 31 janar, opozita i hapi rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Jeremy Corbyn, lider i Laburistëve, tha: “Jemi gati për zgjedhje. Ne do të garojmë me një mesazh të fortë se si mund të transformojmë shoqërinë tonë, duke i dhënë fund pabarazisë dhe padrjetësive”.
Pas miratimit me një shumicë dërrmuese prej 438 votash pro dhe 20 kundër, projektligji kalon në Dhomën e Lordëve, për t’u firmosur më pas nga Mbretëresha Elizabeta. Shpërndarja e Parlamentit do të jetë hapi i radhës. Përmes zgjedhjeve të reja, Boris Johnson shpreson të sigurojë shumicën e nevojshme për të përmbushur premtimin e Brexit-it.
Gjatë një takimi me pjesëtarët e Partisë Konseravtore, kryeministri tha se ishte gati të luftonte në ato që i cilësoi si zgjedhje të vështira në 12 dhjetor: “Do të jenë zgjedhje të vështira dhe ne do të bëjmë më të mirën e mundshme”.
Plani i Johnson u votua fillimisht të hënën, por nuk i siguroi dot dy të tretat e nevojshme. Një ditë më vonë kryeministri prezantoi një projektigj i cili mund të aprovohej me shumicë të thjeshtë. (A2 Televizion)