
Denis Beqiroviç, kandidati boshnjak i opozitës së bashkuar, “Të bashkuar për Bosnjë-Hercegovinën e lirë”, dhe Zhelka Cvijanoviq, president aktual i entitetit Republika Sërpska, janë në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën trepalëshe të Bosnjës, pas zgjedhjeve të mbajtura ditën e diel.
Beqiroviç, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviç, partia e të cilit – Partia për Veprim Demokratik– ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996.
Izetbegoviç, i cili sipas Komisionit Zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën. Kandidati i moderuar bëri thirrje për unitet.
“Jetët e qytetarëve të këtij vendi janë më të rëndësishëm dhe prandaj bëj thirrje për bashkim në mënyrë që jeta e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës të jetë më e mirë”, tha Denis Beqiroviç.
Shtetasit e Bosnjës kanë votuar të dielën për përfaqësuesit e tyre në Presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale.
Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin, në atë që është konsideruar një garë mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.
Aktualisht, Bosnjë-Hercegovina është duke u përballur me krizën më të rëndë politike prej fundit të luftës së viteve 1990, sidomos për shkak të politikave separatiste të udhëheqësisë së serbëve të Bosnjës dhe kërcënimeve për bllokada nga kroatët në këtë shtet.
Vëmendje të madhe në këto zgjedhje ka fituar edhe udhëheqësia për Republikën Sërpska. Milorad Dodik, që mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Serbinë nuk ka synuar mandat të dytë në presidencën trepalëshe. Edhe Dodik, edhe rivalja e tij, Jellena Triviç, kanë pretenduar fitore për Presidencën e Republikës Sërpska.
Vetëm një orë pas mbylljes së qendrave të votimit, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në vend Christian Schmidt, mori një vendim për ndryshime në ligjin zgjedhor, duke caktuar afate për formimin e qeverisë.
Ish-politikani gjerman, i cili mbi bazë të marrëveshjes së Dejtonit ka fuqi vendimmarrëse në shtetin multientik, tha se po vepronte për të mundësuar funksionimin e qeverisë. (A2 Televizion)