Ligji mbi barazinë gjinore, reagon ambasadori gjerman: Pjesë thelbësore e të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2025, 10:54 | Politikë

Ligji mbi barazinë gjinore, reagon ambasadori gjerman: Pjesë

Debati në lidhje me ligjin mbi barazinë gjinore të sapo miratuar në parlament ka sjellë edhe reagimin e ambasadorit gjerman në vendin tonë. Përmes një postimi në rrjetet sociale diplomati gjerman Karl Bergner, mbështet qëndrimin e komisioneres europiane Marta Kos se ndalimi i diskriminimit në bazë të gjinisë, identitetit gjinor dhe orientimit seksual janë pjesë thelbësore e të drejtave të njeriut dhe e vlerave evropiane.

"Unë ndaj plotësisht mendimin e Marta Kos. Të drejtat e barabarta dhe ndalimi i diskriminimit në bazë të gjinisë, identitetit gjinor dhe orientimit seksual nuk janë interesa të caktuara. Ato janë pjesë thelbësore e të drejtave të njeriut dhe e vlerave evropiane", shprehet ambasadori gjerman Karl Bergner, në rrjetet sociale, shkruan A2 CNN.

Një ditë më parë komisionerja Kos, reagoi pas deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore që u diskutua në Kuvend. Sipas saj çdo sulm ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, është i papranueshëm, raporton A2 CNN.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkroi Kos në rrjetin social ‘X’.

Për këtë reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili postoi në rrjetet sociale mesazhin e komisioneres Marta Kos, duke i kërkuar ndjesë dhe duke shpjeguar se ky ligj është në përputhje të plotë me parimet e Bashkimit Evropian, për mosdiskriminimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos