
Në nisje të podcastit të tij “Flasim” kryeministri Edi Rama solli në vëmendje ngjarjet kryesore që shënjuan politikën. Sipas tij 3 janë zhvillimet kryesore; paraqitja në Kuvend e projektbuxhetit 2026, vlerësimi pozitiv i Progres-Raportit për Shqipërinë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Rama theksoi se projektbuxheti i ri ka në qendër rritjen e pensioneve dhe të pagave.
“Ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Nga janari 2026 pensionet do të rriten çdo muaj. Pensioni urban me vite të plota pune do të shkojë në 40 mijë lekë, ai rural në 18 mijë lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë të reja”, u shpreh ai.
Një tjetër pikë e rëndësishme është rritja e pagës minimale në 500 euro, që do të përfitojnë mbi 300 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Qeveria do të subvencionojë për 9 muajt e parë kostot e sigurimeve për bizneset me 90 milionë euro. Rama shtoi se gjatë mandatit të katërt paga minimale do të arrijë në 700 euro.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme e javës ishte edhe Progres-Raporti 2025, që sipas kreut të qeverisë Shqipëria është vlerësuar për progresin e pashembullt në procesin e anëtarësimit në BE, me hapjen e 5 nga 6 grup-kapitujve të negociatave. Rama u shpreh se synimi për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 është plotësisht i arritshëm.
“Uroj dhe besoj që do të hapim dhe grup kapitullin e 6 përpara përfundimit të këtij viti dhe duke iu kujtuar të gjithëve se si disa e përqeshnin apo e nënçmonin atë që unë thosha se në 2027 do të mbyllim negociatat me Bashkimin Europian duke më thënë se kjo ishte një shpikje dhe kjo nuk kishte asnjë lidhje me vullnetin e Bashkimit Europian”, tha Rama.
Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kryebashkiakun e Tiranës, Rama e cilësoi situatën një ngërç absurd që duhet zgjidhur, pasi Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë.
"Së pari, unë nuk i paskam kapur të tëra pushtetet, kjo është fare e qartë apo jo, dhe është një gjë e mirë që duhet ta pranojnë ata që faktikisht, e kundërshtojnë, jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat.
Së dyti, nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027 dhe kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet, përveçse me zgjedhje, atëherë, këtu jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë; disproporcionit të mbajtjes së tij në qeli në dëm të lirive dhe drejtave kushtetuese të tij si person dhe si i zgjedhur për të drejtuar qytetin, por dhe disproporcioni në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për të shërbyer nga i zgjedhuri vetë apo jo?
Dhe së treti çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, por ama në dëm të madh Tiranës, por sheh një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo? Më duket se edhe kjo është gjëja më normale!
Secili ka drejtë të thotë ça të dojë, nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga qeveria, si rrjedhojë e vendimit të marrë një Partia Socialiste në Këshillin Bashkiak, sepse e vërteta është shumë e thjeshtë: - Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë, kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye. Kështu që kush ka në dorë, ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej të gjitha teorive të tjera të konspiracionit, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal në vet vetë dhe është një skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto dhe kryeqyteti paguan një kosto, çdo ditë, të padrejtë”.
(A2 Televizion)
