
Me temperatura ekstreme dhe nën masat anti-covid po zhvillohen zgjedhjet edhe në qytetin e Pejës.
Me temperatura që shënuan deri minus 12 gradë celsius, qytetarët pejanë iu drejtuan kutive të votimit. Zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan në kushte të pazakonta, si atmosferike, ashtu edhe shëndetësore. Kjo, mesa duket, është reflektuar edhe tek intensiteti i votuesve.
Agime Lajçi, drejtore e shkollës “Asdreni”, u shpreh: “Deri më tani, krahasuar me zgjedhjet e shkuara, pjesëmarrja ka qenë më e ulët”.
Arben Gjikolli, drejtor i shkollës “Shaban Spahija”, tha: “Shpresojmë nga mesdita të ketë një rritje të pjesëmarrësve”.
Zgjedhjet po zhvillohen në kushte pandemie dhe masat për sigurinë shëndetësore nuk mungojnë.
Procesi i votimit në qytetin e Pejës është karakterizuar i gjithi nga një qetësi dhe kulturë e lartë demokratike.
Zgjedhjet në Pejë vijojnë të qeta dhe qytetarët shprehen se vendi ka nevojë për ndryshim. Ndryshim të cilin e shohin në bashkimin e Albin Kurtit me Vjosa Osmanin.
Ky bashkim duket se është pëlqyer nga pejanët. Qyteti i cili në zgjedhjet e vitit 2019 mbështeti fuqishëm LDK-në dhe Vjosa Osmanin, duket se ka ndryshuar drejtim. (A2 Televizion)