
Partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, pësoi humbje të rëndësishme në zgjedhjet e së dielës për parlamentin e qytetit të Moskës. Partia e Vladimir Putin humbi gati 1/3 e vendeve në parlamentin prej 45 anëtarësh, por gjithsesi do të vazhdojë të mbajë shumicën me rreth 26 vende. Në atë që u pa si goditje e rëndë, lideri i Rusisë së Bashkuar në Moskë, nuk u rizgjodh.
Shumica e kandidateve të opozitës u skualifikuan nga gara, çka nxiti protesta masive në vend. Mijëra vetë u vunë në pranga, ndërsa Policia u akuzua për shtypjen brutale të protestave. Lideri i opozitës Aleksei Navalni u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për çdo alternativë tjetër përveçse partisë në pushtet. Mediat shtetërore po i prezantojnë rezultatet si fitore, dhe zëdhënësi i Putin e cilësoi si shumë të suksesshme fushatën. (A2 Televizion)