Zgjedhjet në SHBA, Trump përballë pandemisë Covid-19

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2020, 03:31 | Bota
Zgjedhjet në SHBA, Trump përballë pandemisë Covid-19

Ishte data 22 janar, kur presidenti amerikan, Donald Trump, do të komentonte për herë të parë virusin, në atë kohë misterioz, që ishte shfaqur në Kinë. Me vetëm një rast zyrtar me koronavirus të konfirmuar, kreu i Shtëpisë së Bardhë shfaqej tejet i pashqetësuar, ndërsa pretendonte nga Forumi Ekonomik i Davosit se gjithçka ishte nën kontroll.

Dy ditë më vonë, Trump do të shprehej sërish i qetë dhe në mbështetje të Kinës, duke thënë se i beson plotësisht transparencës dhe menaxhimit të emergjencës koronavirus nga ekipi i presidentit, Xi Jinping. Me kalimin e ditëve, rastet shtoheshin, kryesisht të importuara nga jashtë, bashkë me të dhe shqetësimi i autoriteteve. Kjo, detyroi Shtëpinë e Bardhë të formonte Task Forcën për koronavirusin, më 29 janar. Administrata Trump më pas shpalli emergjencën shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të virusit dhe u bllokoi hyrjen në vend, shtetasve të huaj që kishin vizituar Kinën.

“Mbyllëm kufijtë për ata që vijnë nga Kina. Nuk mund të kemi mijëra persona që vijnë, të cilët mund ta kenë këtë problem, pra koronavirusin”, shprehej Trump.

Në adresimin për gjendjen e kombit, Trump do t’i kushtonte vetëm 20 sekonda nga fjalimi i tij 78 minutësh, çështjes së koronavirusit, duke thënë se do bëjë gjithçka për të ruajtur shëndetin e amerikanëve. Në daljet e vazhdueshme publike, ai minimizonte ashpërsinë e Covid-19 duke e krahasuar me një grip të zakonshëm. Megjithatë larg publikut, pranonte se ishte plotësisht e kundërta. Në një intervistë private audio të xhiruar në shkurt e të publikuar në shtator, ai do të shprehej kështu.

Por në vend të së vërtetës, pohonte publikisht deklarata të tilla: me ngrohjen e temperaturës gjithçka do shuhet. Koronavirusi është nën kontroll; jemi afër një vaksine; rastet do të zerohen për pak ditë; është si një grip; gjithçka do të zhduket një ditë, si një mrekulli e të tjera.

Dalëngadalë do të ndryshonte qasje edhe ndaj Kinës. Nga vlerësimet e larta për menaxhimin e mirë të situatës, retorika u kthye në sulme ndaj qeverisë së Pekinit duke e cilësuar infeksionin si “Virusi Kinez”. Madje për pandeminë do të fajësonte edhe demokratët si dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, nga e cila ka nisur procedurat për largim të SHBA-së.

Ndërkohë, sistemi shëndetësor amerikan ishte në vështirësi, pohim që konfirmohej dhe nga virologu i njohur, Anthony Fauci, i cili kërkonte më shumë teste, respiratorë dhe shtretër për të përballuar të infektuarit me koronavirus. Gjithashtu, paralajmëronte se situata do të përkeqësohej. Përballë kësaj, Trump i kërkoi Kongresit të aprovonte 2,5 miliardë dollarë për t’i përdorur në kundërpërgjigjen ndaj pandemisë, ndërsa kufizoi ndjeshëm hyrje-daljet me Europën, të kthyer në atë kohë në epiqendër përhapjeje të Covid-19. Presidenti amerikan aktivizoi dhe Ligjin e Prodhimit të Mbrojtjes për të nxitur prodhimin e pajisjeve mjekësore, maskave dhe mjeteve të tjera që nevojiteshin për luftimin e infeksionit.

Me 19 mars, Kalifornia urdhëroi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, shembull që do të ndiqej më pas nga shumë shtete amerikane, të cilat përdorën izolimin si masë për mbrojtjen e shëndetit publik. Megjithatë, presidenti Trump vazhdonte të minimizonte situatën kritike duke menduar si biznesmen dhe jo si lider. Ai vazhdimisht kundërshtonte udhëzimet e agjencive shëndetësore dhe vetë Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë, për ruajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskës dhe bënte thirrje për rihapjen e ekonomisë.

Izolimi solli papunësinë në nivele rekord, me miliona amerikanë që aplikonin për benefite. Për të tejkaluar këtë krizë të rëndë, kreu i Shtëpisë së Bardhë aprovoi një pako ndihme ekonomike prej 2.2 trilionë dollarësh, ku përfitues ishin qytetarët dhe bizneset.

Teksa Trump fliste për dritë në fund të tunelit, shifrat përkeqësoheshin gjithnjë e më shumë. SHBA arriti në 10 mijë viktima nga koronavirus më 6 prill. Do të duheshin vetëm 5 ditë që kjo shifër të dyfishohej dhe vetëm 4 ditë të tjera që bilanci të shkonte në 30 mijë jetë të humbura. Kjo solli presidentin amerikan me këmbë në tokë, që filloi të përmendte parashikimet e zymta të ekspertëve shëndetësorë.

Përgjatë gjithë kohës, Trump vijonte përplasjet e vazhdueshme me ekspertët e shëndetësisë si dhe gafat publike për mbrojtjen ndaj Covid-19. Fillimisht do të sugjeronte përdorimin e hidroklorokinës si trajtim të aprovuar kundër koronavirusit. Por, rregullatori amerikan e rrëzoi deklaratën e tij. Më pas, këshilloi injektimin e dezinfektantëve në trup për mbrojtje ndaj virusit, por që ekspertët shëndetësorë nxituan ta dënonin si deklaratë pasi është tepër e rrezikshme dhe ishte plotësisht e pavërtetë.

Në muajt e verës, pas rihapjes, SHBA-ja u kthye në epiqendër të pandemisë, duke numëruar më shumë raste dhe viktima se çdo vend tjetër i botës. Këtë, Trump e arsyetonte duke thënë se ka bërë më shumë testime se shtetet e tjera. Më pas, në gusht, do të nxiste një debat mjaft të ndjeshëm, atë të rihapjes së shkollave dhe kthimin e nxënësve në klasa.

Më 19 shtator, SHBA kapërceu pragun e trishtë të 200 mijë viktimave. Përkundër kësaj, presidenti amerikan minimizonte efektet e pandemisë dhe nivelin e përhapjes duke pretenduar se infeksioni është lënë pas dhe se shumë shpejt do të gjendej një vaksinë. Gjatë gjithë kohës, ai mbante tubime elektorale pa respektuar asnjë udhëzim sigurie, pa distancim social dhe pa maskë mbrojtëse, përdorimin e së cilës e ka kundërshtuar gjithmonë. Nuk do kalonte shumë kohë dhe do ta pësonte nga kjo sjellje e shkujdesur. Me 2 tetor do të konfirmonte se është infektuar me koronavirus bashkë me zonjën e parë, Melania.

Disa orë pas infektimit, Trump do të transferohej në spitalin ushtarak Walter Reed për trajtim më të specializuar pasi simptomat iu rënduan. Presidenti amerikan iu nënshtrua një trajtimi eksperimental me një kokteil ilaçesh, të cilat e ndihmuan në rikuperim të shpejtë. Nga spitali, Trump do të vendoste në skenë një shfaqje, që shpejt do dënohej si pakujdesi e theksuar. Edhe pse i infektuar, ai bëri një parakalim me makinë për të përshëndetur mbështetësit e mbledhur në oborrin e Walter Reed. Nën ethet zgjedhore, 74-vjeçari kërkonte me ngulm rikthimin në punë dhe fushatë, edhe pse nuk e kishte mposhtur ende infeksionin. Vazhdimisht kërkonte që të mbante tubime, por aprovimin do ta merrte vetëm pas 12 tetorit, kur rezultoi negativ në testin për koronavirus.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i goditur rëndë nga pandemia koronavirus në të gjithë globin, me mbi 8 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 220 mijë viktima. Përkundër këtij fakti, ky është vlerësimi i Trump për veten.

“Për punën tonë ne vlerësohemi me 10. Po lëmë pas pandeminë dhe kemi bërë një punë fenomenale. Jo vetëm një punë të mirë, por një punë fenomenale”, shprehej Trump.

Ndryshe nga nota e Trump, shifrat tregojnë një tjetër realitet lidhur me menaxhimin e pandemisë koronavirus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos