Grabitje “spektakolare” në Kaliforni, turma e hajdutëve boshatis argjendarinë

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 12:21 | Kapur në kamera

Një bandë grabitësish të maskuar kreu një sulm të koordinuar dhe të dhunshëm ndaj argjendarisë Kim Hung Jewelry në East San Jose, Kaliforni, pasditen e së premtes. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, kur autorët përdorën një SUV të vjedhur, të cilin e përplasë në xhamin e fasadës së dyqanit. Më pas, rreth 10 grabitës, të veshur me kapuça të zinj dhe me fytyra të mbuluara, u futën brenda me çekiçë e sëpata, duke thyer me shpejtësi vitrinat dhe duke marrë bizhuteri e ar, shkruan A2 CNN.

Pamjet e kamerave të sigurisë, që tashmë po qarkullojnë gjerësisht në rrjet, tregojnë momentin dramatik të përplasjes dhe të grabitjes. Në një skenë tronditëse, pronari 88-vjeçar i dyqanit u rrëzua dhunshëm në tokë nga një prej grabitësve, i cili më pas e shkeli për të vazhduar vjedhjen. Familjarët kanë bërë të ditur në rrjete sociale se i moshuari u plagos nga xhamat dhe më pas pësoi një goditje në tru, por policia nuk ka konfirmuar ende gjendjen e tij shëndetësore.

Argjendaria Kim Hung është një biznes familjar që ka shërbyer prej dekadash komunitetin vietnamezo-amerikan në San Jose. Policia e San Jose e ka klasifikuar ngjarjen si një grabitje të armatosur, duke konfirmuar se një nga autorët mbante armë zjarri. Grabitësit u larguan me disa automjete dhe janë ende në kërkim. Vlera e sendeve të vjedhura nuk është bërë publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos