
Ngjitja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë tronditi vendosjen e një rendi të ri në sigurinë kombëtare të Uashingtonit dhe nxiti debate të furishme mbi fatin e rendit liberal ndërkombëtar, dominimin amerikan dhe të ardhmen e demokracisë.
Me të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë, aleatët nervozë të SHBA, pyetën veten në qoftë se Trump do ta braktisë NATO-n? Në qoftë se do të nisë një luftë të re me Korenë e Veriut, apo do të shkatërrojë sistemin e tregtisë ndërkombëtare?
Sot, pas 4 viteve, si rezultuan këto parashikime e shqetësime, edhe mes shteteve më të mëdha e të fuqishme të botës? Aleancat ende vijojnë, fuqia e pushtetit "Amerikë" ende mbetet e pacenuar nga pjesa tjetër e botës dhe Trump e bëri të qartë për 4 vite me radhë: do të rrijë larg çdo gabimi të kushtueshëm për buxhetin amerikan, siç ishte lufta në Irak apo ndërhyrja e vitit 2011 në Libi. Dhe disa nga kritikët më të ashpër të vetë Trump e pranojnë, se administrata e Trump ka shënjuar disa suksese të rëndësishme në politikën e jashtme të SHBA-së, të dukshme kryesisht në Kinë dhe Lindjen e Mesme.
Të intervistuar, dhjetëra ekspertë të diplomacisë, brenda dhe jashtë Amerikës, thonë se e kanë shumë të vështirë të përcaktojnë saktë sukseset apo dështimet e Trump në lidhje me politikën e jashtme. Ajo çka të majtët, madje edhe disa konservatorë kritikojnë, është mënyra sesi Trump e quan fitore, atë çka Amerika po kalon për shkak të pandemisë, duke e cilësuar menaxhimin e kësaj situate, një gabim i pafalshëm nga ana e administratës Trump. Të tjerë, mbështetës të Trump apo ekspertë të politikave, argumentojnë se me përjashtim të Twitter-imit për gjithçka dhe klimës partizani në Uashington, administrata e tij ka bërë shumë: e ka bërë Amerikën edhe më të fuqishme dhe e ka pozicionuar më mirë se kurrë, përpara aleatëve, të mëdhenj e të vegjël.
Politika e huaj e Trump, sipas ekspertëve mund të ndahet në suksese, bazuar në 3 kategori: sukseset e mëdha, fitoret partizane dhe fitoret teknokrate.
Fitoret e mëdha: Sa për fillim, e tillë konsiderohet Kina. Administrata Trump e ktheu sistematikisht sigurinë kombëtare të SHBA-së të ndarë, shumë larg përpjekjeve ndër dekada me fokus në lindjen e mesme, drejt një epoke të re, për të nxitur garën mes fuqive të mëdha, me Trump që e ka bërë të qartë se për Uashingtonin, Pekini përfaqëson kërcënimin më të madh ekzistencial për SHBA, edhe për dekadat në vijim.
Administrata Trump ka refuzuar dhe akuzuar Kinën për operacionet e saj që kanë gjithnjë e më shumë influencë në botë dhe ka rritur ndërgjegjësimin global për kërcënimin që ekspozohet nga Kina sa i takon teknologjive të zhvilluara me shpejtësi marramendës, kryesisht në gjeneratën e re të komunikimit telefonik.
SHBA-ja reduktuan ndjeshëm furnizimin e Kinës me materiale kritike, që kanë rëndësi për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të shtetit më të madh në botë. Në krahun tjetër, administrata Trump dyfishoi mbështetjen e saj për Tajvanin, përfshirë këtu shitjen e armëve të mbajtur pezull. Paralelisht Trump koordinoi më mirë politikat rajonale me Indinë, Japoninë dhe Australinë. Teksa Kina rriti kërcënimin me ushtrinë e saj, administrata Trump përgatiti terrenin për një plan ambicioz, për të rritur në mënyrë dramatike flotën e marinës amerikane, duke urdhëruar 350-500 anije luftarake.
Më pas ishte Izraeli. Vendimi i Trump për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem nxiti reagime dhe paralajmërime për të papritura, deri në kryengritje në rajon dhe konflikt me palestinezët, por asnjë prej tyre nuk ndodhi. Në Shtetet e Bashkuara, zhvendosja e ambasadës gëzoi mbështetje të gjerë bipartiake dhe tashmë shihet si një veprim i pakthyeshëm. Kandidati për president nga radhët e demokratëve dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden tha se do ta mbajë ambasadën në Jerusalem, në qoftë se zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Administrata Trump pretendoi të fitojë pikë edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe dy aleatëve të ngushtë të SHBA-së në Lindjen e Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinit. Lëvizja, të cilën Shtëpia e Bardhë e cilësoi si “Agimi i një Lindje të Mesme të Re” u vlerësua nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë, që si rrallëherë, njëzëri e quajtën një lajm të mirë. Por, shumë ekspertë ngrenë pikëpyetje në qoftë se Trump diti t'i lëvizë gurët e të marrë meritat për këtë arritje diplomatike të radhës, edhe pse Emiratet e Bashkuara dhe Izraeli në këtë rast, i vijonin diskutimet për arritjen e një marrëveshjeje, prej vitesh, edhe pse në një skenë jo aq të ndritshme si ajo amerikane.
Më pas, është çështja e Shtetit Islamik. Nën administratën Trump, Shtetet e Bashkuara mposhtën kalifatin e grupit terrorist islamik dhe në tetor të vitit 2019, vranë liderin e saj Abu Bark Al Baghdadi. Në pikun e tij, me sulme të njëpasnjëshme, ISIS kontrolloi më shumë se 41 mijë metër katror territor mes Irakut dhe Sirisë, sa e gjithë sipërfaqja e shtetit të Pensilvanisë dhe nën kontroll, kishte më shumë se 7 milionë vetë, shumica prej tyre ushtarë të bindur. Mposhtja e ISIS ishte një nga arritjet më të mëdha ushtarake për administratën Trump, edhe pse ishte vijim i strategjisë ushtarake të paraardhësit Obama.
Por, ISIS nuk u zhduk nga rrënjët: ideologjia e Shtetit Islamik ende jeton, me disa grupe që operojnë ende nën tokë, me sulmet që vijojnë në Afganistan, Irak, Siri, Egjipt dhe Afrikën perëndimore.
FITORET BIPARTIZANE
Trump përmbushi premtimin e tij të fushatës elektorale, të hartuar në 2015, sipas paktit nuklear të Iranit, një arritje diplomatike e asaj kohe e presidentit Barack Obama. Edhe pse fillimisht nën presionin e jashtëzakonshëm fill pas fushatës dhe fitores së zgjedhjeve, administrata e Trump e nisi punën me synimin për të korrur sukses në politikën e jashtme, me mbështetjen e republikanëve dhe si asnjëherë më parë edhe të demokratëve, për çështjen e Iranit. Tërheqja e Trumpit nga marrëveshja nukleare u brohorit nga konservatorët, që e panë atë si një hap të gabuar në politikën e jashtme e që do i jepte Uashingtonit dorë më të fortë në rajon. Të dyja palët në kongres vlerësuan dhe lavdëruan urdhrin e presidentit për vrasjen e gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, parë si një arkitekt i rrjetit iranian, me milicë të rrezikshme, përqark Lindjes së Mesme, që kishte targetuar trupat amerikane dhe aleatët. Por, kritikët kujtojnë ende sot që falë tërheqjes së Amerikës nga marrëveshja nukleare, Irani ka ristartuar programin e saj nuklear dhe është shumë pranë mundësisë së ndërtimit të një arme nukleare, më shumë se sa momenti kur Trump erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ekspertët konervatorë vlerësojnë administratën Trump për tërheqjen në këtë mandat, nga marrëveshjet e armëve të periudhës së luftës së ftohtë, që sipas tyre paralizoi aftësinë e Amerikës për t'u përballur me fuqi të tilla si Kina dhe Rusia. Fitore ekspertët cilësojnë edhe braktisjen nga ana e Trump e Traktatit të forcave nukleare, pas vitesh të tëra shkeljesh nga ana e Rusisë, duke e cilësuar si arritje historike që u mbështet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Nën udhëheqjen e Trump, Shtetet e Bashkuara kërcënuan me ndërprerjen e fondeve për organizata ndërkombëtarë dhe paralajmëruan largimin nga institucione të tilla si Organizata Botërore e Shëndetësisë, Këshilli i të drejtave të Njeriut në OKB dhe UNESCO. Mbështetësit e tij thanë se një lëvizje e tillë në Kombet e Bashkuara ishte mëse e nevojshme, për t'i dhënë fund hipokrizisë pasi lejuan shtetet që abuzojnë më shumë në botë me të drejtat e njeriut si Kina dhe Venezuela, që t'i bashkohen. Por, të tjerët thonë se lëvizja ishte e nxituar, pasi me largimin e saj, SHBA i dha mundësi Kinës që të rrisë influencën e saj në OKB.
FITORE TEKNOKRATE
Nën hijet e politikës së jashtme dhe skandaleve të vazhdueshme të Trump, administrata bëri hapa të rëndësishëm përpara, që mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e jashtme të SHBA-së, disa prej tyre mund të vazhdojnë edhe në qoftë se fitojnë demokratët. Buxheti, ndihma për shtetet e huaja, marrëdhënia me Kongresin, zhvillimi teknologjisë janë disa prej fitoreve teknokrate të administratës Trump.
Gjatë 4 viteve, administrata e Trump kishte edhe raste të keqpërdorura apo që nuk mundi t’i shfrytëzojë. Mes tyre ishin edhe negociatat e denuklearizimit me Korenë së Veriut, plani për paqe i shtyrë disa herë mes Izraelit dhe Palestinës, impeachment për Presidentin, mungesa qoftë edhe me një lëvizje të thjeshtë për ndryshimet klimatike apo premtimet e papërmbushura për tërheqjen totale të trupave amerikane nga luftërat e kushtueshme në Lindjen e Mesme dhe Afganistan. Por, dështimin më të madh në historinë moderne të Amerikës, ekspertët, ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, quajnë menaxhimin e pandemisë koronavirus nga ana e administratës Trump.
Mes dështimeve dhe arritjeve, Trump arriti të pushtojë mediat në mbarë botën, për 4 vite rresht, nga takimet historike si ai me Kim Jong Un, kërcënimet nga salla e OKB, marrëdhënia me stafin, të përzgjedhur prej tij e të larguar prej vet atij, marrëdhënia me bashkëshorten, flokët, e deri te shtrëngimi i duarve me homologë e zyrtarë. Tërhoqi vëmendjen në çdo mbledhje e takim krerësh shtetesh. Tregoi me qëndrim e shikim se ai është i pari e të tjerët i vijnë pas. Trump, në 4 vite, arriti të kurorëzohet “Mbret i Diplomacisë së Improvizuar”.
Donald Trump mbetet presidenti që theu traditën në rrjete sociale, media dhe diplomaci. Trump tregoi se është edhe artist dhe këtë falë shtrëngimit të duarve, që ekspertët e quajnë “Arti i fuqisë dhe lojës së një diplomati”. Trump di të luajë dhe këtë e tregoi në krye të Shtëpisë së Bardhë prej nëntorit të 2016. “Make America great again”, për këtë i duhet edhe një aventurë 4-vjeçare…. (A2 Televizion)