Zgjedhjet në veri të Kosovës, certifikohen kandidatët për kryetar komune

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2022, 08:04 | Kosova
Zgjedhjet në veri të Kosovës, certifikohen kandidatët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar zyrtarisht 12 kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në 4 komunat në veri të vendit, më 18 dhjetor.

Gjithashtu, në mbledhjen e fundit të KQZ përveç certifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike, janë emëruar dhe Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Sipas Radio Europa e Lirë, në Leposaviç u certifikuan për të garuar Albulena Behluli-Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës.

Në Zubin Potok janë certifikuar Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV, ndërkohë që në këtë komunë nuk do të ketë një kandidat nga radhët e serbëve.

Në Zveçan, do të garojnë për kreun e komunës Ilir Peci nga PDK, Fetah Peci nga LVV dhe kandidatja e pavarur Sladjana Pantoviç.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut do të garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK, Erden Atiq nga LVV dhe Aleksandar Arsenijoviq nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune në katër komunat në veri, erdhën pas vendimit të serbëve për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me vendimin e qeverisë së Albin Kurtit, lidhur me riregjistrimin e makinave me targa serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos