
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bën me dije se 6 subjekte politike janë regjistruar tashmë për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar komune që do të zhvillohen në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, më 18 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi bëri me dije se ka periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme ka përfunduar të premten, më 25 nëntor.
“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave... Partia e Serbëve të Kosovës ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit. Është një kandidat i pavarur. Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave. Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha Elezi.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor. (A2 Televizion)