Zgjedhjet në veriun e Kosovës, Kurti: Kryetarët e 3 komunave betohen të enjten

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 14:19 | Kosova
Zgjedhjet në veriun e Kosovës, Kurti: Kryetarët e 3 komunave

Kryetarët e rinj të tri komunave me shumicë serbe, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit do të bëjnë betimin në seancat konstituive, ditën e enjte.

Konfirmimi erdhi nga kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë. Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se veprimet e tyre kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Nesër në ndërtesa publike do të betohen tre kryetarët e rinj. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbeten pa kryetar, dy prej tyre edhe pa Kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale, veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje është obligim yni, këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë e vendit, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe republikë”, deklaroi Kurti

Sipas kryeministrit Kurti, Beogradi ndikoi në dalje të ulët të qytetarëve serbë në zgjedhjet e zhvilluara në komunat veriore gjatë muajit prill.

“Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serb në këto zgjedhje. Dje u bë 1 muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në komunën veriore të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident ishin të qeta dhe paqësore, frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik.”

Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potokdhe Zveçan pritet të betohen në objektet publike të komunave dhe jo tek asambletë komunale.

Në këto objekte janë të vendosura edhe organet e përkohshme e që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Sakaq, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, bëri betimin ditën e premte në një seancë solemne në objektin e komunës.

Lista Serbe e cila i bojkotoi zgjedhjet, refuzon të njohë kryetarët e tij, dhe i ka dhënë kohë kryeministrit Kurti deri më 1 qershor për të ndalur represiomim, shpronësimin dhe sulmet ndaj serbëve, siç i ka quajtur.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos