Partia Demokratike ka ndryshuar mendje për sa i përket anëtarëve të saj pranë Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe ka vendosur të dërgojë përfaqësuesit e saj. Selia blu pranoi se në të gjitha degët ka nisur tashmë puna për përzgjedhjen e tyre, ndonëse në fillim demokratët injoruan afatin e 18marsit për të paraqitur anëtarët për KZAZ. A2 CNN mësoi se LSI, gjithashtu, i ka gati njerëzit e saj. Numri dy i PD, Gazmend Bardhi, shpjegoi se ky qëndrim ndryshoi pas informacioneve që kanë mbërritur në PD, sipas të cilave anëtarët socialistë të KZAZ-ve po kryejnë shkelje të rënda ligjore në këtë proces zgjedhor. Pikërisht për të dokumentuar këto shkelje, demokratët preferojnë të dërgojnë njerëzit e tyre pranë KZAZ-ve, ndonëse deri tani nuk janë pjesë e garës elektorale. Përtej këtij shpjegimi, nuk përjashtohet që me ndjesinë e një marrëveshjeje në horizont opozita dëshiron të mos gjendet e papërgatitur nëse bëhet pjesë e garës, kurdo që të ndodhë ajo, duke preferuar që të jetë në procesin e administrimit elektoral. Një tjetër arsye mund të lidhet me paralajmërimin për një bllokim të procesit, që është më e lehtë të arrihet kur njerëzit e tuja në pjesë e menaxhimit të tij. Me apo pa marrëveshje, në këndvështrimin e demokratëve një gjë është e sigurt, siç pohoi Edmond Spaho nga studio e A2CNN: Me marrëveshje pa marrëveshje me 30 qershor s’ka zgjedhje. (A2 Televizion)
Zgjedhjet, opozita dërgon anëtarët e saj në KZAZ
