
Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas disa të shtënave me armë zjarri në periferi të Parisit, në Francë. Tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa mes tyre është edhe një vajzë 12-vjeçare.
Ngjarja ndodhi të premten në mëngjes, fillimisht në qytetin Trappes, në jugperëndim të Parisit, dhe më pas në komunën fqinje La Verrière. Sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, seria e të shtënave zgjati rreth 15 minuta.
I dyshuari, i cili dyshohet se lëvizte me një automjet tip “Renault Clio” në ngjyrë gri dhe qëllonte ndaj personave që ndeshte gjatë rrugës, u arrestua nga policia në rrugën kryesore N10, në zonën e La Verrière.
Të shtënat raportohet se ndodhën në disa pika të ndryshme, përfshirë një pikë karburanti, një qendër mjekësore dhe një kënd lojërash për fëmijë. (A2 Televizion)