
Partia Republikane nuk do të dalë me kandidatë të veçantë në zgjedhjet vendore të vitit 2023 sa i përket kryetarëve të bashkive, por do ta bëjë këtë për vendet në këshillat bashkiakë.
“Ne do të mbështesim si Parti Republikane një kandidat të vetëm. Pavarësisht nga kompozioni në opozitë, ne nuk do të nxjerrim kandidatë për t’i bërë sfidë kandidatit kryesor. Çdo kandidat që do të dilte në krahun e djathtë, përveç një kandidati, do të ishte kontribut për pushtetin e Edi Ramës dhe këtë situatë katastrofë në Shqipëri. Prandaj do të ketë një kandidat të vetëm”, tha kryetari i PR, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me strukturat e partisë.
“Për sa i përket kandidimit si Parti Republikane, do të dalim me listat tona si Parti Republikane për të kandiduar. Ne duhet patjetër të ndërtojmë një sistem gare brenda nesh. Nuk ka rëndësi radhitja. Këshilltar do të jetë ai që merr më shumë vota. Është provuar në Shkodër dhe në vende të tjera, kur është aplikuar kjo me ndershmëri, ne kemi pasur rezultatin më të lartë, dhe kemi pasur këshilltarë ata që kanë pasur mbështetjen e qytetarëve. Pra le ta bëjmë këtë ne si republikanë, pavarësisht se e bëjnë apo nuk e bëjnë subjektet e tjera politike”. (A2 Televizion)