
Qeveria gjermane vlerëson pozitivisht misionin e Frontex-it në kufirin shqiptaro-grek, I nisur para dy muajve. Në një përgjigje ndaj kërkesës së partisë “E majta”, Berlini zyrtar deklaron se operacioni I agjencisë europiane të Mbrojtjes së Kufirit kontribuon duke mbështetur autoritetet shqiptare për mbrojtjen e kufirit, masat e kthimit si dhe aplikimin e standardeve të BE-së në këtë drejtim.
Aktualisht në kufirin shqiptaro-grek janë vendosur 66 trupa kufitare nga 12 vende anëtare të BE-së, ndër ta njëmbëdhjetë punonjës të policisë gjermane. Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme gjermane, misioni i Frontex-it do të zgjerohet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Marrëveshjet përkatëse me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën thuhet te jenë në fazën finale. (A2 Televizion)