
Institucioni i Presidencës përzgjodhi anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2021. Ky Këshill bën verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatën Kushtetuese dhe të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Nëntë anëtarët e KED u përzgjodhën përmes një shorti publik me gogla mes 89 emrave në total, që ditën e hedhjes së shortit plotësonin kushtet ligjore. Sipas Kushtetutës, drejtues i KED është antari i Gjykatës së Lartë, detyrë që në vitin 2021 do ta mbajë gjyqtari Ervin Pupe.
Përmes të njëjtës procedurë shorti, Presidenca zgjodhi edhe gjashtë anëtarë zëvendësues, për secilin nga institucionet e drejtësisë që ndajnë anëtarësinë në Këshill. Anëtarët zëvendësues, që në rast pamundësie apo konflikti interesi zëvendësojnë kolegët e tyre në KED.
Nga radhët e Gjykatës Kushtetuese u zgjodhën gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, ndërsa anëtar zëvendësues u zgjodh Fiona Papajorgji.
Nga Gjykata e Lartë u zgjodhën Ervin Pupe, ndërsa Ilir Panda u zgjodh anëtar zëvendësues.
Nga Prokuroria e Përgjithshme u zgjodh Adnan Xholi si anëtar dhe Kujtim Luli si anëtar zëvendësues.
Nga radhët e Gjykatave të Apelit u zgjodhën Astrit Kalaja dhe Elona Toro, ndërsa Zeqine Sollaku u zgjodh si anëtar zëvendësues.
Nga radhët e prokurorëve pranë Gjykatave të Apelit u zgjodhën Gjon Fusha dhe Genti Xholi, ndërsa Kleanth Zeka u zgjodh si anëtar zëvendësues.
Nga radhët e Gjykatave Administrative u zgjodh Rilinda Selimi, ndërsa Gentiana Xhelili u zgjodh anëtar zëvendësues.
Këshilli aktual, që përfundon mandatin në 31 dhjetor po punon për plotësimin e tre vakancave në Kushtetuese. Në rast të plotësimit deri në fundvit, puna kryesore para KED-së së re do të jetë plotësimi i tre vendeve në Kushtetuese që zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Por që të ndodhë kjo, duhet së pari të plotësohet me gjyqtarë vetë Gjykata e Lartë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i ri kushtetues, kolegjial, i cili është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi. KED përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshill shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale.
Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, emërojnë dhe zgjedhin gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese ndërmjet tre kandidateve të renditur në tri vendet e para nga Këshilli. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Lartë të drejtësisë ndërmjet pesë kandidatëve të renditur në pesë vendet e para nga Këshilli.
Në rastin kur këto organe nuk arrijnë të emërojnë dhe zgjedhin kandidatin, i emëruar në detyrë është kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. (A2 Televizion)