
Tashmë duket e sigurt edhe pse ende nuk është zyrtare. Ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në Champions League do të zhvillohen në Lisbonë, Portugali.
Gazeta gjermane, “Bild”, ka shkruar se pas tërheqjes së Stambollit për të pritur finalen e këtij kompeticioni, qyteti luzitan është më i përshtatshëm se Frankfurti apo edhe Moska, për të cilët ishte folur më parë.
Ky vendim pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, i planifikuar për më 17 qershor. Plani i UEFA-s është që në gusht të startohet me 4 ndeshjet e pazhvilluara të fazës së 1/8-ave, ndërsa më pas 8 skuadrat që do të kalojnë në çerekfinale do të luajnë të gjithë ndeshjet e mbetura në Lisbonë, për të shmangur sistemin vajtje-ardhje.
Sipas gazetës gjermane, Portugalia plotëson të gjitha kërkesat e UEFA-s, ndërsa tashmë nuk ka më as një klub në garë për trofeun. (A2 Televizion)