Zgjimi i Tiranës, jeta në orët e para të mëngjesit

Nga A2 CNN
20 Mars 2020, 15:22 | Aktualitet
Zgjimi i Tiranës, jeta në orët e para të mëngjesit

Për disa biznese, të cilat sigurojnë produktet bazike ushqimore, ora nuk është ndalur. Të tilla janë furrat e bukës, të gjitha të gatshme të shërbejnë në momentet kur lëvizja nuk është e kufizuar.

Një pjesë e njerëzve e kanë të pamundur të heqin dorë nga rutina e tyre e përditshme, por mundohen të shfrytëzojnë oraret e lejuara për ecje apo vrapime. Më tepër këtë moment e vuajnë sportistët, siç është rasti i atletes premtuese Relaksa Dauti, nënkampione e Ballkanit për të reja. “Nuk e kam ndërprerë stërvitjen, dalim gjatë orareve që kanë vendosur. Programi sportiv është ndikuar, sepse stërvitemi në asfalt dhe nuk mund ta zhvillojmë të plotë”, thotë ajo.

Një situatë ndryshe nga e zakonshmja në Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Dita-ditës aty nuk mungon radha e qytetarëve për të siguruar autorizime për lëvizjen e automjeteve, edhe pse me masat e pashmangshme shtrënguese në betejën kundër përhapjes së koronavirusit, sigurimi i dokumentit është bërë tejet i vështirë.

Përpos mjeteve personale, transporti i atyre që shkojnë në punë realizohet me mjete urbane të vendosura në dispozicion nga kompanitë private. I vetmi përjashtim lidhet me personelin mjekësor, ku në çdo autobus ka personel të policisë bashkiake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos