
Laboratori gjerman, CureVac njoftoi se vaksina e saj kryesore kandidate për t’u përdorur kundër koronavirusit ka treguar një efektshmëri 47%.
Testimi është kryer në shkallë të gjerë dhe tashmë mund të thuhet se nuk ka arritur pritshmëritë e kërkuara.
Vaksina që përdor sistemin mRNA “arriti një efikasitet 47% duke mos kënaqur kriteret statistike të suksesit”, njoftoi laboratori që ka nënshkruar një kontratë të rëndësishme me Bashkimin Europian.
Shefi ekzekutiv i kompanisë CureVac, Franz-Werner Haas, tha se ka shpresuar për rezultate më të mira, ndonëse testimet do të vazhdojnë dhe shkalla e efikasitetit mund të ndryshojë ende.
Në studim kanë marrë pjesë 40,000 vullnetarë nga Europa dhe Amerika Latine.
Kompania ka thënë se rezultatet sugjerojnë që vaksina është efektive te pjesëmarrësit e rinj, mirëpo ajo nuk është treguar shumë efikase për moshat mbi 60 vjeç. (A2 Televizion)