
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi në një konferencë për shtyp pas takimit me homologun rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës, se agjenda e tij “nuk është kundër Rusisë, por për popullin amerikan”.
Gjithashtu, Biden theksoi se i ka bërë të qartë Putinit se do të mbrojë “vlerat demokratike, pasi është në ADN-në e vendit tim”.
“Si mund të jem President i Amerikës dhe mos të flas për dhunimin e të drejtave të njeriut? Prandaj do të ngremë zërin për raste si të Alexey Navalnit sepse këta jemi ne. E ngrita çështjen edhe të dy amerikanëve të burgosur gabimisht. I thashë Putinit që duhet të vendosim disa rregulla bazike që t’i ndjekim në lidhje me të drejtat e njeriut”, u shpreh Biden.
Një orë më herët, në konferencën e tij për shtyp, Vladimir Putin nuk pranoi kritikat për mosrespektim të të drejtave të njeriut, duke thënë se në SHBA po vriten njerëz çdo ditë: “Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të japin shumë përgjigje kur vjen puna te të drejtat e njeriut, sidomos nëse marrim si shembull Guantanamon. Gjithashtu, po vriten njerëz çdo ditë me armë zjarri në SHBA. Çfarë është kjo? Nuk është dhunim i të drejtës së njeriut?”
Putin kujtoi edhe protestat në Kongresin amerikan, ku mbeti e vrarë një protestuese dhe u ndaluan qindra persona: “400 njerëz me bindjen të caktuara politike po hetohen, pasi shkuan për të protestuar në Kongres. Dhjetëra prej tyre janë ende të arrestuar, nuk dihet mbi çfarë akuzash. Një protestuese u vra aty, pa qenë e dhunshme. Dua të them që shumë vende janë në të njëjtën situatë, ne e kuptojmë SHBA-në dhe prandaj nuk duam që të tilla gjëra të ndodhin edhe në Rusi”. (A2 Televizion)