
Zhgënjimin ndaj Bashkimit Europian, Edi Rama e shprehu dhe në Athinë, ku ishte i pranishëm ne samitin e organizuar nga ish-kryeministri Jorgo Papandreou. Si shpëtim për Ballkanin Perëndimor kreu i qeverisë sheh bashkëpunimin rajonal, ndërsa i bëri thirrje dhe Greqisë që të bashkohet.
Gjuhën e ashpër ndaj Bashkimit Europian, Edi Rama e vijoi nga Athina, ku ishte i pranishëm në samitin e organizuar nga ish-kryeministri Jorgo Papandreou.
“BE nuk është Vatikani e ne nuk jemi kisha në ndonjë fshat të humbur të Argjentinës. Ne të gjithë kemi problemet tona. Por ka një standard të çmendur të dyfishtë. Mendoj që është e rrezikshme sepse nuk duhet lejuar të kthehet në anti-BE”.
Sipas kreut të qeverisë, indiferencën e BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta kompensojnë me vëmendjen ndaj njëra – tjetrës.
“Ajo çfarë kemi është njëri-tjetri në rajon. BE-ja nuk është diçka për të cilën ne duhet të ndryshojmë mendje. Ndërkohë që përgatitemi e përgatitemi për dasmën na duhet që të bëjmë gjithçka, që ta bëjmë rajonin të ngjashëm me BE-në, për të zbatuar 4 liritë e BE-së”.
Rama i kujtoi dhe njëherë Brukselit, tundimin që lindja ka ndaj Ballkanit, ndërsa I bëri thirrje Greqisë që të rikthehet në rajon.
“Natyrisht që ka aktorë të tretë. Kinezët me të cilët kemi patur një martesë shumë të lumtur dhe një divorc shumë të hidhur, thonin, ne me Shqipërinë, kemi gjithë Europën. Për shkak të pozicionit strategjik. Duke patur këtë zonë të hapur, me njerëz të zhgënjyer natyrisht që ka vende që ofrojnë para të lehta”.
Në Athinë, kreu i qeverisë nuk la jashtë vëmendjes as Kosovën, duke kujtuar padrejtësinë që po i bëhet nga unioni me mos liberalizimin e vizave. (A2 Televizion)