
Mbrëmja e së hënës rezultoi mjaft problematike në Qarkun e Lezhës, sa i takon vatrave të zjarreve që përfshinë zona të ndryshme.
Në lagjen “Nënë Tereza”, flakët të favorizuara nga era i janë afruar shumë banesave. Forcat zjarrfikëse, të ndihmuara fillimisht edhe nga banorë të zonës, kanë mundur të mbajnë nën kontroll perimetrin e flakëve, duke mos lejuar përhapjen në mënyrë të pakontrolluar.
Thuajse paralelisht me këtë vatër zjarri, dy të tjera përfshinë zona me shkurre në fshatin Markatomaj dhe në fshatin Piraj. Në Markatomaj, zjarri përfshiu një pjesë me shkurre buzë rrugës Lezhë-Milot, duke ndaluar edhe trafikun. Ndërsa në fshatin Piraj, flakët përfshinë një gjatësi prej rreth 500 metrash edhe linjën hekurudhore, duke djegur traversat.
Në të tria vatrat e Qarkut të Lezhës, zjarrfikësit të ndihmuar nga banorë të zonës, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura, kanë mundur t’i mbajnë nën kontroll flakët.
Gjithashtu, edhe në Qarkun e Durrësit, pranë Gjirit të Lalzit, pasditen e së hënës u aktivizua një vatër zjarri, ndërsa në Ishëm u riaktivizua një tjetër vatër zjarri që ishte fikur një ditë më parë.
Problem me vatrat e zjarreve ka pasur edhe në qarqet e Vlorës, Fierit dhe Shkodrës. Situata do të vijojë të mbetet problematike edhe gjatë ditëve në vijim, pasi temperaturat e larta mund të favorizojnë vatrat që janë vënë nën kontroll apo të aktivizojnë vatra të reja. (A2 Televizion)