
Situatë shqetësuese dhe me pasoja në humbjen e lëndës drusore, që po kërcënon zonat e mbrojtura dhe të banuara, e ka konsideruar ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi, situatën e zjarreve në vend. Në një lidhje me Ditarin në A2 CNN, ai tha se detyra parësore e qeverisë është parandalimi dhe edukimi me masa ndëshkimore.
“Funksioni i qeverisjes vendore e qendrore. Detyra e parë është parandalimi me edukim dhe masa ndëshkimore. Në shfrytëzimin e kullotave të parashikohet dhe mbrojtja e tyre. Nuk po veprohet për të thelluar procesin e edukimit, bashkë me djegien të ruhet edhe kullota. Ka nevojë për edukim masa ndëshkimore dhe vullnetarizëm dhe më pak propagandë. Nuk më gëzon fakti që ushtria po përdoret për këtë qëllim. Situata po përsëritet vit pas viti”.
Përgjegjës për këtë situatë, Preçi bën pushtetin vendor dhe bashkitë që kanë neglizhuar dhe i kanë mbushur strukturat përkatëse me militantë. Sipas tij, në këtë situatë kemi të bëjmë me neglizhencë dhe shpërdorim detyre.
“Kjo situatë ka precipituar se ligji parashikon që përgjegjëse janë bashkitë, vetëm kur përmasat tejkalojnë territorin e një bashkie hyn në rol qeveria. Është një lloj neglizhence e strukturave përkatëse. Në këto vende pune ka militantë për favore se sa për të përmbushur detyrimet që përcakton ligji për këtë forcë ushtarake. Kemi të bëjmë me shpërdorim detyre dhe mospërmbushje të detyrimeve që parashikon ligji për mjetet e trajnimit. Është e dhimbshme të shohësh si tentohen të shuhen zjarret kur hartat janë përgatitur me vite dhe monitorimi e vëzhgimi. Bashkitë duhet të kenë të gjithë mjetet që ia detyron ligji, nuk duhet të mbushen bashkitë me militantë, por të ofrojë shërbimet publike. Parandalimi është më i rëndësishëm se korrigjimi i dëmeve”.
Prej 2015 sektori i zjarrfikësve është transferuar pushtetit vendor, por Preçi e vë theksin te mungesa e mjeteve të tyre, dhe ata që janë nuk përmbushin kushte pasi janë blerë me tendera të dyshimtë.
“Aktualisht, janë 1200 punonjës në sektorin e zjarrfikësve, por kanë vetëm 125 mjete nga 700-800 të nevojshëm dhe ato janë të amortizuar, të blera më tendera të dyshimtë dhe nuk përmbushin kushtet dhe mjetet ajrore nuk janë në funksion”.
Reagimin e vonë për këtë situatë të krijuar nga zjarret, Preçi nuk e shikon te detyrimet e prapambetura, por te neglizhenca e pushtetit vendor.
“Mendoj që përgjegjësia në hapin e parë i shkon pushtetit vendor dhe nuk funksionojnë strukturat e mobilizimit në kohë, por borxhet e prapambetura nuk kanë lidhje me reagimin në kohë. Dhe të mobilizohen burimet private përpos atyre shtetërore. Unë shoh neglizhencë e mediokritet të pushtetit vendor”. (A2 Televizion)