
Ndërkohë që situata nga zjarret në vendin tonë është problematike, pavarësisht se vatrat në Gjirokastër janë shuar, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ngre dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme. Në një deklaratë për mediat lidhur me situatën, ai tha se është e pamundur që të ndizen njëkohësisht 10 vatra zjarri në të njëjtën kohë në distanca të largëta.
“Kemi marrë emrat dhe ua kemi dhënë organeve ligjzbatuese, si dhe kam marrë garanci edhe nga ministri i Brendshëm e drejtori i Policisë që do të ketë investigime dhe ndalim të tyre. Ka të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar që zjarret janë të qëllimshme. Sot situata është shumë më e qetë. Dje në Gjirokastër u përballëm me situatë të vështirë. I kemi të forta dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme, shtuar edhe nga kushtet atmosferike. Në rreth 3-4 fshatra ka pasur flakë të shumta dhe fatkeqësisht kemi pasur një humbje jete. Jemi përpjekur të mos ketë prekje të fshatit. Por ia kemi dalë. Pas mesnatës në Pashaliman ka shpërthyer një zjarr i madh në Pashaliman, kishim dislokuar një numër trupash, është shmangur e keqja dhe po shuhet zjarri”.
Peleshi thekson së aktualisht janë 3 helikopterë në përpjekje për të shuar flakët, por sipas tij nuk mjafton për të shuar vatrat në të njëjtën kohë.
“Janë 3 helikopterë në përpjekje për të shuar flakët. Është e pamundur edhe me 30 helikopterë që të menaxhosh në të njëjtën kohë të gjitha vatrat në të gjithë Shqipërinë. Vetëm dje në Gjirokastër ka pasur 10 vatra zjarri. Ia vlen të merreni me faktin që si ka mundësi në të njëjtin moment në distancë shumë të largët nga njëra-tjetra të ndizen 10 vatra zjarri”.
Sipas ministrit, situata më serioze mbetet në Karaburun, ku synohet prekja e parkut të Llogarasë dhe të mos lejohet avancimi i zjarrit në atë drejtim. Peleshi njoftoi se kanë marrë përgjigje nga Holanda për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
“Vatra më serioze ngelet Karaburuni, duhet eliminuar prekja e parkut të Llogarasë, kemi tre helikopterë në punë, po punohet në disa drejtime për të mos lejuar avancimin e vatrave të zjarrit në atë drejtim. Situata është shumë e vështirë, por Holanda është përgjigjur në mënyrë bujare dhe sot do të dërgojë skuadrilje për të bërë rikonjicionin e zonës”. (A2 Televizion)