
Rusia i ka konsideruar provokim të Kievit luftimet pranë centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Në një videokonferencë, zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov tha se ukrainasit i vunë qëllimisht zjarrin ndërtesës së stërvitjes. Sipas tij, forcat ruse morën qytetin Enerhodar, centralin bërthamor të Zaporizhzhia dhe territorin pranë tij.
“Personeli ushtarak i Gardës Kombëtare të Ukrainës që ruante termocentralin, u largua nga objekti dhe u zhduk në një drejtim të panjohur përpara mbërritjes së njësive ruse”, tha ai. Objektet e stacionit dhe territori ngjitur u morën në ruajtje nga personeli ushtarak rus.
Konashenkov pretendoi se stafi teknik i uzinës vazhdoi punën në objekte, por forcat ukrainase tentuan një "provokim monstruoz", në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.
“Më 4 mars, rreth orës 02:00, ndërsa patrullonte një zonë të mbrojtur ngjitur me termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, një patrullë e lëvizshme e Gardës Ruse, u sulmua nga një grup sabotues ukrainas. Zjarri nga armët u përhap nga dritaret e disa kateve të kompleksit stërvitor që ndodhet jashtë termocentralit", tha Konashenkov.
Ai shtoi se brigadat e zjarrfikësve, mbërritën në ndërtesë dhe e shuan zjarrin.
“Në momentin e provokimit, asnjë nga punonjësit me kohë të plotë të centralit, nuk ndodhej në godinën e trajnimit. Aktualisht, stafi i TEC Zaporizhzhya (centrali bërthamor) vazhdon të punojë si zakonisht, mirëmban objektet e termocentralit dhe monitoron situatën radioaktive. Sfondi radioaktiv në zonën e termocentralit është normal", theksoi Konashenkov.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin e Rusisë në centralin bërthamor dhe paralajmëroi për rreziqet që lidhen me sulmet ndaj objekteve bërthamore.
Konashenkov pohoi se deklaratat dhe komunikimi i Zelenskit për incidentin nuk lënë asnjë dyshim. "Qëllimi i provokimit të regjimit të Kievit në një objekt bërthamor është një përpjekje për të akuzuar Rusinë për krijimin e një burimi kontaminimi radioaktiv".
Qeveria ruse ka pretenduar në mënyrë rutinore dhe pa prova se qeveria ukrainase po organizon "provokime", për të provokuar një përgjigje ushtarake nga qeveritë perëndimore. (A2 Televizion)