Zyrtare, Kukësi largon Mirel Josën

Nga A2 CNN
3 Qershor 2021, 16:30 | Futboll
Zyrtare, Kukësi largon Mirel Josën

Mirel Josa nuk do të jetë më trajner i Kukësit. Njoftimi zyrtari klubit shërbeu vetëm për të formalizuar atë që ishte kronikë e një fundi të paralajmëruar. Vetëm 4 muaj pas emërimit në krye të skuadrës, rruga e teknikut të mirënjohur ndahet.

Josa zhvilloi një bisedë me drejtuesit, për të folur rreth planeve të sezonit të ri, por u gjet përballë një projekti plotësisht të ndryshuar, në të cilin nuk do të ishte pjesë. Në këtë mënyrë, bashkëpunimi u ndërpre, edhe sepse skuadra mbeti jashtë të gjithë objektivave.

Nga një ekip i ndërtuar me ambicie për titull, Kukësi e mbylli kampionatin në vendin e 6-të në renditje, me 21 pikë distancë nga kampionët e Teutës. Veri-lindorët ishin më pranë luftës për mbijetesë, ndërsa situata u përkeqësua pas bojkotit të futbollistëve për pagesat e prapambetura dhe dorëheqjes së drejtorit sportiv, Nderim Nexhipi.

58-vjeçari e drejtoi skuadrën në 21 javë të kampionatit, ku regjistroi vetëm 6 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje. Ecuri e dobët, të cilësi shtohet edhe eliminimi në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Me largimin e Josës, Kukësi pret të nisë projektin e ri, ku klubi po bisedon me ish-bomberin Pero Pejiç. Kroati pritet të emërohet në rolin e drejtorit sportiv, për të përzgjedhur më pas trajnerin dhe skuadrën për edicionin e ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos