Zyrtare, Löw rikthen Müller dhe Hummels në kombëtaren gjermane

Nga A2 CNN
19 Maj 2021, 13:51 | Futboll

Joachim Low ka bërë publike listën e futbollistëve të thirrur për finalet e Kampionatit e Europian. Ndër 26 lojtarët e grumbulluar, ajo që bie në sy, është rikthimi në Kombëtaren Gjermane e Thomas Müller dhe Mats Hummels, pas mungesës për 2 vite e gjysmë.

Të dy futbollistët në fakt nuk luajnë me “Panzerat” prej barazimit 2-2 me Holandën në ndeshjet e Nation League në vitin 2018. “Kanë bërë një sezon të shkëlqyer dhe mund të na japin një dorë të mirë”, kështu e komentoi numri një i stolit të gjermanëve rikthimin e dy veteranëve.

Pjesë e Gjermanisë është edhe ylli 18-vjeçar i Bayern München, Musiala, talenti i cili zgjodhi Gjermaninë kundrejt përfaqësueses angleze ndërsa debutoi duke marrë disa minuta në kualifikueset e Botërorit, në ndeshjet kundër Islandës dhe Maqedonisë.

Mungesat e rëndësishme të Gjermanisë janë ato të portierit Ter Stegen, gardianit të Barcelonës që do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, Markus Reus, që kërkoi të merrte kohë për të pushuar dhe rikuperuar formën fizike pas një sezoni të lodhshëm në radhët e Dortmund.

Nuk ka ende vend në përfaqësuese për Draxler dhe mbrojtësin Boateng që nuk përfshihen në listë prej tre vitesh. Gjermania do të luaj dy miqësore në fillim të muajit qershor më pas do të nis aventurën në Europianit, me sfidën e parë, atë ndaj Francës më 15 qershor. Portugalia dhe Hungaria janë gjithashtu pjesë e grupit ku bëjnë pjesë edhe “Panzerat”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos