
Kodi Zgjedhor është sërish në duart të Gjyqtarëve Kushtetues. Shtatë anëtarët morën në shqyrtim padinë e ish-kandidatit të pavarur Elton Debreshi, i cili kërkon shfuqizimin e nenit që parashikon se subjektet zgjedhore duhet të marrin 1% të votave në rang kombëtar në mënyrë që vota e tyre në qarkun ku kandidon, të llogaritet në shpërndarjen e mandateve.
“Kandidati i propozuar nga zgjedhësit kandidon vetëm në një zonë zgjedhore. Vlera e votës nuk është njësoj për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit dhe kandidatët e partive politike. Për këtë arsye mundtë ndryshojë vullnetin e zgjedhësit në kutinë e votimit”.
Gentian Seriani, avokat i Elton Debreshit
Pala e paditur në gjykatë ishte Kuvendi i Shqipërisë. Drejtoresha e shërbimit Juridik, Mimoza Arbi kishte si argument kryesor numrin e votave që Debreshi mori në zgjedhje.
“Kandidati ka marrë vetëm 580 vota të vlefshme. Kërkuesit nuk i ka ardhur pasoja nga përmbajta e nenit por për shkak të numrit të votave të që ka marrë në zgjedhje. Me 580 vota, ai asnjëherë nuk bëhej dot deputet në Kuvendin e Shqipërisë”.
Mimoza Arbi
Llogaritjet e Kuvendit nuk u duk se bindën Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.
“1 % në rang kombëtar është rreth24% i votave në qarkun Dibër. Ishte i domosdoshëm një mjet i barabartë për të gjithë?!”
Vitore Tusha
Më herët, Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues herësin brenda listës së kandidatëve për deputet që shërbeu në 25 prill në shpërndarjen e mandateve. Tani më politika duket edhe më e detyruar që të ulet në një tryezë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. (A2 Televizion)