
“Çfarëdolloj iniciative që është brenda procesit të Berlinit dhe që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh”. Kështu u shpreh presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen, kur u pyet nëse Open Balkan është një mënyrë për të stabilizuar rajonin apo për ta larguar nga BE-ja.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo tha se duhet të jetë një proces i hapur gjithëpërfshirës dhe që thellon bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.
“Mendoj që po shikojmë ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregun e përbashkët rajonal. Procesi i Berlinit është kuadri që po shtyn procesin e integrimit përpara që 6 vendet e rajonit do të përfitojnë. Dhe çfarëdolloj iniciative që është brenda Procesit të Berlinit që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shohim fjalët, por kontekstin të jetë proces i hapur, gjithëpërfshirës dhe thellon bashkëpunimin mes ekonomive të rajonit”.
Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se ka diskutuar me presidenten e KE në lidhje me problematikat e procesit të Berlinit dhe ecjen përpara të tij.
“Kemi folur për ecurinë e bashkëpunimit rajonal, dihet që Ursula von der Leyen është bashkëpunëtore e ngushtë e Merkel, e cila është njeriu që nisi procesin e Berlinit dhe për këtë arsye e njeh mirë dhe mbështet procesin dhe e sheh siç është në shërbim të përafrimit të Ballkanit Perëndimor dhe rritjes se kapaciteteve brenda Ballkanit Perëndimor. Ne kemi diskutuar për të gjitha problematikat e këtij procesi dhe jemi në të njëjtin linjë që procesi të shkojë përpara dhe paqja e munguar kërkon durim, dialog, bashkëpunim dhe atë që presidentja nënvizoi krijim të besimit reciprok mes palëve. Pa të është shumë e vështirë dhe kjo kërkon shumë durim e mençuri”. (A2 Televizion)