
Në 1-vjetorin e goditjes nga tërmeti të Shqipërisë, mesazhe solidariteti janë shpërndarë në rrjetet sociale nga përfaqësues të lartë të diplomacisë europiane dhe amerikane.
I fundit ka qenë komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili shkruan se Bashkimi Europian do të qëndrojë në krah të Shqipërisë për rindërtimin e shkollave dhe objekteve kulturore, ndërkohë që vlerëson solidaritetin e Konferencës së Donatorëve në shkurt.
“Një vit pas tërmetit shkatërrues në nëntor 2019 në Shqipëri dhe pas solidaritetit të madh të treguar në Konferencën e Donatorëve të organizuar nga Komisioni Europian në shkurt, Bashkimi Europian vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë për të riparuar shkollat dhe vendet e trashëgimisë kulturore.
Një vit pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë, Bashkimi Evropian po rehabiliton dhe rindërton 58 ambiente arsimore për 20 000 studentë. BE mbështet rehabilitimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë që u dëmtua nga tërmeti”.
Edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca shkruan në Twitter për solidaritetin e Bashkimit Europian ndaj popullit shqiptar pas tërmetit.
“Më 26 nëntor 2019 Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrues. Një vit më pas, ne kujtojmë 51 viktimat e asaj dite të tmerrshme dhe solidaritetin e BE-së dhe Shteteve Anëtare ndaj popullit shqiptar. Tani ne punojmë për të ndërtuar së bashku. Së bashku më të fortë. BE për Shqipërinë”.
Në një postim më të hershëm në Facebook Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shprehur mbështetjen ndaj popullit shqiptar, sa i përket pandemisë dhe tërmetit tragjik të një vit më parë.
"Më 26 nëntor bëhet një vit qëkur një tërmet goditi Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në solidaritet me popullin shqiptar, ndërsa ju përkujtoni këtë përvjetor solemn. Përgjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka treguar një forcë të jashtëzakonshme, jo vetëm në rindërtim, por edhe në përballjen me një pandemi globale. Shtetet e Bashkuara kanë qenë me ju në çdo hap të kësaj rruge dhe do të vazhdojmë të jemi me ju”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
(A2 Televizion)