Për pak ditë, mbushet plot 1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit, që preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona dhe që shkaktoi një bilanc me 51 viktima dhe 913 të plagosur.
11 bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.
Qeveria premtoi një program ambicioz për rindërtimin, madje krijoi edhe një ministri të posaçme me të njëjtin emër për mbarëvajtjen e procesit. 1,1 miliardë euro u premtuan nga donatorët në formën e kredive të buta dhe granteve. Por, një vit pas tërmetit, rindërtimi ka nisur vetëm më fondet e buxhetit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, këtë vit janë dhënë nga buxheti për Programin e Rindërtimit 31 miliardë lekë, ndërsa 3 miliardë pritet të jenë, deri në fund të 2020-s grantet.
Nëpërmjet fondeve të buxhetit parashikohet të zhvillohen objektet e reja dhe zonave të reja për zhvillim, përfshirë infrastrukturën publike përkatëse, si dhe rikonstruksionin e ndërtesave ekzistuese të dëmtuara. Gjithashtu, është parashikuar edhe rindërtimi i ndërtesave të shembura nga tërmeti.
Fondet e buxhetit për rindërtimin janë shpërndarë te 11 institucione. Pjesën dërrmuese të financimeve e ka marrë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 10.3 miliardë lekë dhe Bashkia e Tiranës me 7.9 miliardë, si institucionet që kanë edhe rolin kryesor në procesin e rindërtimit. Fonde janë dhënë edhe për Bashkinë e Durrësit, Institutin e Ndërtimit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ndërsa një financim prej 46.8 milionë lekë është adresuar nga buxheti për blerje apartamentesh në bashkitë Kamzë dhe Durrës. E këta të fundit mesa duket do të jenë edhe më fatlumët.
Në janar, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, premtoi se deri në fund të këtij viti, 80% e të dëmtuarve do të futeshin në banesat e reja. Por sot, kur një pjesë e mirë janë ende në çadra është qartazi e kuptueshme që nuk do të ndodhë. Madje, vetë ministri e ka shtyrë premtimin për vitin e ardhshëm. (A2 Televizion)