A2 Business Week, bizneset: Qeveria të na ndihmojë me paketë

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2020, 21:09 | Ekonomi
A2 Business Week, bizneset: Qeveria të na ndihmojë me paketë

Besnik Vathi, anëtar bordi në Shoqatën e Turoperatorëve, tha në A2 Business Week se “turizmi është sektori më i goditur nga pandemia”, duke shtuar se problemi “nuk është vetëm dëmi nga papunësia, por humbja e madhe e investimit afatgjatë që bizneset në këtë sektor kishin bërë në stafin e tyre”.

“Para dy javësh, një organizëm ndërkombëtar llogariste humbjen e 200 milionë vendeve të punës nga turizmi. Në Shqipëri, unë mendoj se 70% e vendeve të punës në turizëm është i humbur. Hotelet dhe restorantet nuk kanë humbje kaq të madhe, 40-50%. Nuk është vetëm dëmi nga papunësia, por humbja e madhe e investimit afatgjatë që bizneset në këtë sektor kishin bërë në stafin e tyre. Largimi i punonjësve mund të ishte edhe më i madh, pasi aktiviteti i turizmit është në nivelet më të ulta të mundshme”, deklaroi Vathi.

Sipas tij, “qeveria duhet të mbështesë ose ndihmojë me paketë sektorin e turizmit, që të mos falimentojë”.

“Këtë e kemi kërkuar me një letër të hapur drejtuar qeverisë. Ende nuk kemi marrë përgjigje. Gjithashtu, qeveria duhet të bëjë ringritjen pas Covid. Ç’do të ndodhë sezonin e ardhshëm? Eufori të natyrës “Pusho shqip” nuk vlejnë për sektorin”, theksoi Vathi.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, u shpreh: “Ne nuk kemi pasur largim masiv të punonjësve, pasi i kemi mbajtur me pahir, duke qenë se i kemi trajnuar me standarde dhe është e vështirë që të gjesh punonjës të trajnuar në treg. Ne kërkojmë mbështetje në planin financiar dhe në planin e arsimit industrial në fushën tonë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos