
Çdo projekt madhor të ndërmarrë në fushën e investimeve, qeveria ka preferuar ta prezantojë vetë me pompozitet, në konferenca publike me fjalime për impaktin e jashtëzakonshëm që do të sjellin, shoqëruar me video 3D.
Kjo është faktuar veçanërisht për projektet me vlerë dhjetëra apo qindra miliona euro, kur janë konceptuar me investim të huaj përmes skemës PPP.
Në mënyrë të tillë, ndodhi për Tunelin e Llogarasë, Parkun Fotovoltaik të Karavastasë, marrëveshjen hidrokarbure me ENI apo për zbulimin e SHELL në Shpirag. Por, e njëjta gjë nuk ka ndodhur për projektin më të madh në letër të qeverisë, koncesionin e rrugës Milot-Fier, me vlerë 1,4 miliardë euro. Qeveria hapi zyrtarisht garën më 1 korrik, nën zërat e një afere me fitues të paracaktuar, kompaninë greke GEK Terna.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave duhet të ishte data 28 shtator, por u shty 2 herë nga ministria. Herën e parë për në 28 tetor me justifikimin e pandemisë dhe herën e dytë për në 9 nëntor, mbi bazën e një ndryshimi minimal në specifikimet teknike.
Kur kanë kaluar mbi 10 ditë nga afati final i tenderit, qeveria nuk ka bërë ende asnjë njoftim se sa kompani kanë marrë pjesë në garë dhe nëse është bërë mbledhja e Komisionit për dhënien e koncesionit.
Mungesa e transparencës në këtë proces hedh më tepër hije dyshimi që ngrihen nga akuzat për korrupsion dhe paracaktimin e garës, që nga propozimi i pakërkuar, te hartimi i studimit të fizibilitetit nga vetë kompania, që është e vetmja që ka paraqitur ofertë.
Edhe pse projekti nuk do të ndërtohet me paratë e taksapaguesve, një aferë e tillë do të financohet nga shqiptarët përmes tarifave të rrugës, që llogaritet të nxjerrin së paku 4 miliardë euro nga ekonomia shqiptare, deri në fund të kontratës 35-vjeçare. (A2 Televizion)