10 mijë tifozë në ekstazë pritën ekipin pasi Napoli mundi Juven dhe hipotekoi titullin kampion

Nga A2 CNN
24 Prill 2023, 16:34 | Futboll

Fitorja me Juventusin ishte hipoteka e titullit. Dominimi absolut në kampionat, kishte bërë që askush të mos dyshonte te triumfi i Napolit. Me suksesin në Torino, të kaltërve u mungon fare pak nga shpallja matematike si kampionë të Italisë.

Megjithatë, tifozët festuan njësoj sikur të ishinshpallur matematikisht kampionë. 10 mijë mbështetës priten ekipin në aeroport.

Fishekzjarrë, këngë, flamuj dhe entuziazëm i jashtëzakonshëm. Edhe pse ora ishte 2:40 minuta në mëngjesin e së hënës, kjo nuk kishte rëndësi. Mijëra tifozët e Napolit nisën festën e parakohshme për një trofe që e presin prej kohës së Diego Armando Maradonës.

Mbështetësit e kaltër shoqëruan edhe autobusin e ekipit, aty ku Osimhen dhe Kvaratskhelia ishin të papërmbajtshëm. Kjo ishte thjesht antipasta e festës së vërtetë, atëherë kur titulli në Serie A do të jetë çështje e mbyllur.

Napoli mund të shpallet kampion prej kësaj të diele. Fillimisht skuadra e Spalletti-t duhet të fitojë të shtunën ndaj Salernitanës dhe të presë që Lazio të mos fitojë përballë Interit. Titulli i tretë në histori i napoletanëve është thjesht formalitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos