
Gati 10 minuta në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve zgjatën me kërkesën që e një ndjese që Rama i kërkoi Tabakut, pas një fjalie të saj.
“Ju bëtë një gabim në raport personal, në raport me dëshmitarin. Unë ju dhashë një përgjigje dhe ju thatë, juve kështu jua kanë thënë. Domethënë unë këtu nuk dhashë një përgjigje korrekte, por atë që më ka instruktuar grupi kriminal”, u shpreh Rama.
Më tej, Tabaku vazhdoi me pyetjen e radhës ndaj Ramës, por kryeministri ngulmoi në kërkesën e tij për ndjesë.
Ai theksoi se nuk do të vazhdonte nëse nuk do ta merrte ndjesën nga Tabaku. “Ose do të më respektoni si dëshmitar dhe nuk do t’i komentoni më fare ato që them unë, ose pastaj do të rrimë këtu deri më 6 mars. Dua një ndjesë të vogël. Në të kundërt do të mbeteni pa fushatë”, tha Rama.
“Zoti dëshmitar, unë e kuptoj që nuk doni t’i përgjigjeni pyetjes për transfertën. Nëse kjo i shërben punës së këtij komisioni, kërkoj ndjesë nëse dinjiteti juaj është cenuar rëndë nga një koment i imi”, tha Tabaku. (A2 Televizion)