10 muaj Covid-19, Pipero në “Absolut 4”: Mos përdorni antibiotik pa këshillën e mjekut

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 21:23 | Aktualitet
10 muaj Covid-19, Pipero në “Absolut 4”: Mos përdorni

I ftuar në “Absolut 4” në A2, ku u diskutua për pandeminë koronavirus dhe se si është menaxhuar situata në vendin tonë, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, u shpreh se pandemia ka ende shumë të panjohura. Ai theksoi se në Shqipëri janë aplikuar me sukses të gjithë skemat e mundshme që bota i ka në dispozicion.

“Kjo pandemi vazhdon të ketë ende shumë të panjohura. Ne hymë të paditur dhe është shumë e rëndësishme të dalim të mësuar. Për fatin e mirë, te ne erdhi pak më vonë dhe nuk u gjendëm fare të befasuar. Kishte një frikë, një lloj ndrojtje. Ecuria, ajo që shohim e prekim çdo ditë. Si çdo virus i ri, ka pikëpyetjet e tij. Në disa raste është politizuar më shumë se sa duhet. Mjekët shqiptarë duhet të ndjehen krenarë për atë që po bëjnë. A mjekuam mirë? A kemi ndonjë dilemë? Janë pyetje të cilat ndoshta asnjëherë nuk do të marrin një përgjigje të saktë. Sa i takon mjekimit, ka pasur dhe do të ketë shumë pikëpyetje. Nga kjo eksperiencë do të nxjerrim mësimet e duhura për më tej. Mjekët, spitalet COVID, mjeku i familjes, kanë aplikuar me sukses të gjithë skemat e mundshme që bota i ka në dispozicion”, tha Pipero.

Më tej, ai u pyet edhe për trajtimin e pacientëve dhe konkretisht për antibiotikët, për të cilët tha se nuk duhet të merren në asnjë rast pa këshillën e mjekut.  

“Antibiotikët kanë qenë dhe janë pjesë e skemave të trajtimit edhe pse ne ende nuk kemi një protokoll. Ne jemi tashmë në gjysmë të pandemisë, ose më shumë se sa gjysma. Ju them qytetarëve, ju lutem mos u nxitoni të përdorni antibiotik sepse antibiotiku nuk është antiviral, nuk e trajton virusin. Antibiotiku jepet me këshillën e mjekut, atëherë kur ai e shikon të arsyeshme. Në këtë pandemi është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mjek-qytetar”, u shpreh Pipero. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos