
Kryetari i opozitës Lulzim Basha mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacionin Korad Adenauer me rastin e 10 vjetorit të pranisë së tij në Tiranë.
“10 vjetori i themelimit të Fondacionit Konrad Adenauer përkon me një moment historik për vendin tim, marrjen e vendimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk njoh ndonjë organizëm tjetër në Shqipëri, që të ketë ndihmuar më shumë shqiptarët të ecin përpara në këtë proces sfidues, sesa Fondacionin “Konrad Adenauer”, deklaroi Lulzim Basha në fjalën e tij përshëndetëse.
Lideri i demokratëve u shpreh se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq dhe për këtë nëvojitet ndihma e partnerëve për të hapur rrugën e bllokuar nga keqqeverisja.
“Shqipëria është në një udhëkryq të pamerituar, për shkak të keqqeverisjes së saj. Vendet skeptike ndaj nesh janë shtuar, por për fatin e mirë të Shqipërisë, në këtë proces të një rëndesie jetike për vendin, për shqiptarët, nuk na ka munguar mbështetja e CDU-së, e Kancelares Merkel, e Bundestagut, këmbengulja e miqve tanë”, shtoi Basha. (A2 Televizion)