
Drejtuesit të një automjeti i duhet të paktën dy ditë për të kryer kolaudimin e makinës së tij. Në njërën ditë paguhen taksat e mjetit lëvizës dhe në tjetrën kryhet kontrolli teknik. Kjo procedurë ka lodhur drejtuesit e mjeteve pasi radha dhe vonesat në marrjen e shërbimit janë të përsëritura.
Nga 1 janari, kontrolli teknik kalon në varësi të DPSHTRR. Ndryshimi i sistemit të pagesës së taksave nga privati ka shkaktuar radhë pranë këtyre ambienteve. Ky ndryshim procedurial sipas drejtuesve të mjeteve nuk do të sjellë përmirësime të shërbimit. Drejtuesi i DPSHTRR, Blendi Gonxhe, thotë se vonesat gjatë kësaj kohe kanë qenë edhe për faj të sistemit të vjetër që përdorte kompania koncesionare.
Në vendin tonë, janë mbi 630 mijë automjete të deklaruara në qarkullim, nga të cilat sipas DPSHTRR një pjesë e mirë e tyre e kalonin kolaudimin formalisht ndaj është parë i nevojshëm një ristrukturim i kësaj procedure teknike. (A2 Televizion)