100 shkolla pa ngrohje, ministrja Kushi fajëson bashkitë, kërkon zgjidhje urgjente

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2023, 15:21 | Aktualitet

Në kulmin e dimrit  nxënësit e 100 shkollave lihen pa ngrohje. Skandali pranohet nga vetë ministrja e arsimit Evis Kushi, e cila fajëson bashkitë për këtë. Përmes një reagimi në Facebook zonja Kushi është kujdesuar të mos identifikojë bashkitë që kanë lënë nxënësit pa ngrohje, por vetëm duke i ndarë shkollat sipas problematikave. Nga 100 shkolla 28 nuk kanë asnjë sistem ngrohjeje.

“Sa i takon situatës në terren dhe raportimeve në mënyrë të vazhdueshme nga zyrat arsimore , kemi kërkuar në mënyrë urgjente pajisjen me sistem ngrohje  të 28 shkollave nga ana e bashkive përkatëse”.

Por mungesa e ngrohjes nuk është vetëm në 28 shkolla. Në reagimin e saj, veçanërisht pas ankesave të prindërve dhe mungesave të shumta që raportohen nga shkollat, ministrja pranon se edhe në 51 shkolla të tjera të vendit ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik, ngarkesa e rrjetit nuk e mundëson mësimin normal.

Po ashtu Kushi thotë se në 21 shkolla të tjera bashkitë nuk kanë riparuar defektet e kaldajave dhe as i kane furnizuar me lëndë djegëse në rastet kur punojnë.

Kushi pranon se për shkak të të ftohtit janë shkurtuar orët e mësimit në shkollat e Devollit dhe Dibrës. Një vit më parë ministria e Arsimit mbylli për disa ditë të gjitha shkollat në territorin e vendit  për shkak të të ftohtit brenda klasave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos