100-vjeçari feston ditëlindjen duke vendosur rekord botëror

Nga A2 CNN
9 Shtator 2020, 11:21 | Lifestyle
100-vjeçari feston ditëlindjen duke vendosur rekord botëror

Është një ditë e veçantë në liqenin Pearl, pasi do të rishkruhet historia nën sipërfaqen e ujit. “I thashë, e di çfarë Bill? Ti mund të jesh personi më i vjetër në botë që do zhytesh. Do ende ta bësh këtë gjë?”, tha Danny Johnson trajner i zhytjes.

Sot në moshën 100-vjeçare, Bill Lambert u zhyt në ujë duke vendosur për herë të tretë rekordin botëror, për herë të tretë që kur nisi aventurën e zhytjes. Dhe të mendosh që Bill e zbuloi këtë pasion në moshën 98-vjeçare. Për këtë, vajza e Bill ende shprehet e mahnitur dhe ndjek të atin në çdo hap.

“Jam habitur në çdo rast. Më thotë dua të shkoj të zhytem dhe unë habitem. Ka qenë një çmenduri dhe fakti që ai ende do ta bëjë këtë gjë dhe është i shëndetshëm për ta bërë edhe 100 vjeç, është e mahnitshme”, shprehet vajza e Bill.

Trajneri i tij i zhytjes, Danny Johnson thotë se ky sport është një eksperiencë e jashtëzakonshme, kryesisht për të moshuarit.

“I ndihmon ata të ndihen mirë. Uji është i mirë për ne, ushtrimet në ujë na bëjnë mirë për qarkullimin e gjakut”, shprehet Johnson.

E ndërsa Lambert thotë se e dashuron zhytjen, ai shpreson që historia e tij të frymëzojë njerëzit që të provojnë gjithnjë gjëra të reja.

“Çdokush duhet ta provojë dhe në qoftë se i pëlqen, ta vazhdojnë”, shprehet rekordmeni botëror.

Por, Bill i ka të qarta planet për të ardhmen. “Dua të jetoj deri në 101 vjeç dhe të thyej sërish rekordin”.

Bill Lambert thotë se duhet të jetojmë çdo ditë të jetës dhe të shkruajmë historinë tonë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos