
Sali Berisha publikoi në llogarinë e tij në Facebook pamjet e vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1992, kur Partia Demokratike kishte ardhur në pushtet, duke fituar zgjedhjet e përgjithshme.
“30 vite më parë në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të mikut të madh të kombit shqiptar, George H. Bush”, ishte mesazhi i shkurtër i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit.
30 vite pas asaj vizite, Berisha tashmë e sheh veten të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si i përfshirë në korrupsion dhe për minim të demokracisë. Ai sigurisht nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e mbajtur këtë të enjte me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Berisha ka paditur në një gjykatë në Paris për shpifje Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ndërsa i ka bërë thirrje disa herë Ambasadës Amerikane në Tiranë që të tregojë provat për akuzat e ngritura ndaj tij.
Pak ditë më parë, Berisha tha se kishte marrë njoftim edhe nga Mbretëria e Bashkuar se i ndalohej hyrja në këtë shtet. (A2 Televizion)