
Kosova feston sot 14-vjetorin e pavarësisë së saj, me një sërë aktivitetesh të organizuara nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Teksa uroi të gjithë qytetarët e Kosovës në ditën e pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani tha se liria do të jetë e plotë kur të ketë drejtësi për të gjitha viktimat.
“Sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Mbi 13 mijë viktima civile, ndër to 11 133 fëmijë, rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale, shtëpi të shkatërruara dhe monumente të kulturës, janë plagë akoma e hapur, dhe liria jonë do të jetë e plotë vetëm kur të ketë liri për të gjitha viktimat”, deklaroi presidentja e Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti u kërkoi qytetarëve që përveç festimeve të kujtojnë edhe ata që luftuan për lirinë e vendit.
Ashtu siç tradita e kërkon, aktivitetet do të vijojnë me homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në Prekaz dhe Skënderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. (A2 Televizion)