Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic, ka vizituar paraditen e të dielës veriun e Mitrovicës, nën masa të rrepta sigurie. Eskorta e tij për një çast ka ndaluar edhe në qendër të qytetit. I pyetur nga “KosovaPress” nëse ndihej i sigurt për shkak të prezencës së shtuar të forcave policore, Mesix tha se “edhe sikur të isha vetëm do të ndjehesha njëjtë shumë i sigurt”.
Ai vizitoi edhe pjesën jugore të Mitrovicës ku banojnë shqiptarët, por edhe pjesën veriore, ku banojnë më shumë serbë. “E dini, unë jam kureshtar. Kam dashur të shoh si njërën ashtu edhe Mitrovicën tjetër. Në fakt bëhet fjalë për një Mitrovicë… Po shoh se gjithçka është në rregull dhe qetë... Unë do të isha i sigurt sikur të kisha ardhur edhe vetëm këtu”, tha Mesic.
Sipas tij, kontrolli i plotë i territorit nga ana e institucioneve të Kosovës do të varet nga marrëveshja e përgjithshme.
Mesic theksoi se luftë nuk do të ketë më dhe njerëzit duhet të bashkëpunojnë mes vete, sepse vetëm kështu të gjithë do të jenë të kënaqur. “Gjithçka varet nga marrëveshja. Lufta ka lënë pasojat e saj, duhet të gjithë ta kuptojnë se luftë nuk ka dhe nuk do të ketë, dhe njerëzit duhet të bashkëpunojnë sepse vetëm kështu të gjithë do të jenë të kënaqur”. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, të shtunën Mesci u takua edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministrin Albin Kurti. (A2 Televizion)