18 sulme me raketa nga Rusia, Zelensky flet për fundin e luftës: Jo gjithçka mund të ndodhë nesër

Nga A2 CNN
1 Maj 2023, 11:35 | Bota
18 sulme me raketa nga Rusia, Zelensky flet për fundin e luftës: Jo

Sirenat e alarmit ranë sërish rreth Ukrainës, teksa Rusia ndërmori një tjetër valë sulmesh me raketa dhe artileri në agim, për të dytën herë në tri ditë.

Një person humbi jetën në rajonin e Kherson dhe 25 të tjerë, përfshirë edhe tre fëmijë mbetën të plagosur në Dnipropetrovsk. Raketa e dronë shënjestruan edhe kryeqyetin e Kievit, por siç thuhet të gjitha u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Në total, raportohet se janë parandaluar 15 nga 18 sulmet raketore të Rusisë. Ukraina ka përforcuar sistemet e mbrojtjes ajrore muajt e fundit, teksa pajisjet e avancuara të aleatëve perëndimor kanë mbërritur në vend. Kievi ka folur prej disa kohësh për një kundërofensivë madhore, por paspecifikuar se kur mund të nisë.

“Jemi ne gjendje t’i japim fund kësaj lufte. Megjithatë jo gjithçka do të ndodhë nesër. Na duhet kohë për t’u trajnuar, por tani e dimë më mirë si të veprojmë më shpejt dhe me logjistikën e duhur, më e rëndësishme, sot ka vende që janë gati të na ndihmojnë me avionë F-16 dhe pajisje të tjera perëndimore”, tha Zelensky.

Një prej shënjestrave kryesore të sulmeve të së hënës ishte qyteti i Pavlohrad pranë Dnipros, ku siç bëri me dijë një zyrtar i instaluar nga Rusia, u goditën resurse që do të ndihmonin për ofensivën ukrainase, përfshirë infrastrukturë hekurudhore dhe depozita karburanti.

U dëmtuan gjithashtu blloqe të larta me apartamente, 25 banesa private, 6 shkolla e kopshte dhe 5 dyqane. Pavlohrad gjendet në territor të kontrolluar nga Ukraina, rreth 110 km nga fronti i luftës. Në rajonin e Kherson, qe kontrollohet pjesërisht nga Rusia, autoritetet lokale raportuan për 39 bombardime nga trupat pushtuese. Vetëm pak ditë më parë Rusia ndërmori një valë sulmesh masive, me pasojë vrasjen e 23 qytetarëve ukrainas, kryesisht në qytetin qendror të Uman. Të dielën, zyrtarët të Moskës thanë se 4 persona ishin vrarë në një fshat kufitar  rus, si pasojë e një sulmi ajror ukrainas.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos