
Lojtarët 19-vjeçar të Tiranës mposhtën bashkëmoshatarët e tyre të Shënkollit në finalen e Kupës së Shqipërisë, 3-2.
Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë pothuajse e barabartë, me një dominim të lehtë nga ana e Shënkollit, që ka pasur iniciativën duke tentuar t’i afrohet disa herë portës së Tiranës. Përtej dëshirës së madhe të të dy skuadrave për të gjetur golin, me rezultatin 0-0 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë i lojës nis me një dominim territorial të skuadrës së Devollit, e cila ka epërsi në fushë, por pa arritur t’i afrohet portës kundërshtare. Në minutën e 60 erdhi dhe goli i parë i ndeshjes, me Tiranën që kaloi në avantazh me autogolin e Ukut, që devijoi topin në portën e tij, pas një skeme të Tiranës nga goditja e dënimit.
Tetë minuta më pas, u realizua dhe goli i dytë me anë të Elezit. Tirana vazhdoi dominim dhe në minutën e 70 fitoi një penallti që u godit nga Stafa, por u prit nga Simoni mjeshtërisht. Sërish Simoni mbajti në lojë Shënkollin në minutën e 75, duke bërë mrekullinë ndaj Elezit.
Shënkolli provoi të reagojë dhe gjen golin në minutën e 88 pas një goditje të jashtëzakonshme nga Marku nga goditja e dënimit. Vetëm një minutë zgjati rezultati 2-1 dhe Tirana shënoi golin e tretë, me kapitenin Stafa që shleu në këtë mënyrë edhe gabimin e penalltisë së humbur.
Në minutën e 94, Shënkolli shënoi golin e dytë me anë të Sindrit Hoxhës, por gjithçka u mbyll me fitoren e Tiranës, për të cilën ishte hera e parë që triumfonte në kupë për këtë grupmoshë. (A2 Televizion)