
Stolat e dëmtuar me Kukësin, ishin vetëm pika që derdhi gotën. 145 vende të shkatërruara në triumfin me përmbysje, me Tiranën që tashmë duhet të paguajë kostot. Sipas kontratës me stadiumin e ri kombëtar, çdo skuadër detyrohet të dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar, me koston reale të çdo ulëseje. Duke qenë se çdo stol ka kushtuar 80 euro, me llogari të thjeshta, klubi bardheblu detyrohet të paguajë rreth 12 mijë euro vetëm për ndeshjen e fundjavës së kaluar.
Tirana ka luajtur edhe tre takime të tjera në impiantin e ri, ndaj Teutës, Skënderbeut dhe mbi të gjitha derbin e dhjetorit të kaluar, kur ishin regjistruar mbi 50 stola të dëmtuar. Kjo bën që fatura financiare e 24 herë kampionëve të jetë rreth 20 mijë euro. Një goditje e konsiderueshme për financat e klubit, që mbështetjen e tifozëve dhe spektaklin në tribuna, duhet ta llogarisë tashmë si kosto.
Ndoshta kjo është arsyeja përse në ambientin bardheblu po diskutohet mundësia e rritjes së çmimit të biletave, duke nisur nga derbi i së premtes së ardhshme me Partizanin. Në tribunat pas portave, aty ku vendosen tifozët ultras dhe janë regjistruar thuajse të gjitha dëmtimet në stadium, çmimet pritet të dyfishohen.
Nëse deri më tani një biletë aty ka kushtuar 500 lekë të reja, çmimi për derbin e 28 shkurtit pritet të jetë 1000 lekë të reja. Rritja e çmimeve pritet të reflektohet edhe në tribunën karshi dhe tribunën qendrore. Derbi i fundjavës pritet ta mbushë sërish stadiumin dhe për shkak të rivalitetit e tensionit përbën rrezik potencial për të tjera dëmtime të tribunave. (A2 Televizion)