
Zjarre rekord, sezon uraganesh vdekjeprurës, akulli i detit Arktik në nivelet më të ulëta se kurrë, thatësirë, përmbytje dhe valë të të nxehtit.
Organizata Botërore Meteorologjike publikoi raportin vjetor për klimën, në të cilin listohen një numër zhvillimesh ekstreme. Por, mund të jetë edhe një parashikim i asaj që pritet të pasojë. Sipas të dhënave të marra nga janari deri në tetor, ekspertët ndërkombëtarë thonë se 2020-ta mund të jetë një nga 3 vitet më të nxehta të regjistruara pas 2016-s dhe 2019-s.
Temperatura mesatare globale është 1.2 gradë celcius më e lartë se niveli paraindustrial. Pavarësisht efektit ftohës të “La Nina”, 2020-ta ka qenë jashtëzakonisht një vit i nxehtë, gjë e cila shihet me shumë shqetësim.
Dekada e fundit ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë. Pavarësisht rënies së emetimeve gjatë izolimeve të vendosura nga pandemia koronavirus, përqëndrimi i gazrave serë në atmosferë u rrit duke shënuar një rekord të ri këtë vit. Pasojat tragjike të ndryshimeve klimatike janë ndjerë tepër gjatë 2020-s.
Miliona persona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, disa prej të cilëve në mënyrë të përhershme, për shkak të motit ekstrem dhe eventeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Qindra vetë kanë humbur jetën, sipas raportit të Organizatës Botërore Meteorologjike. Gjithashtu, ka pasur dhe miliona kafshë që kanë vdekur për shkak të motit ekstrem, kryesisht në Australi. (A2 Televizion)