
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëri të ditur se në mbledhjen e qeverisë, këtë të mërkurë, është marrë vendimi për rritjen e ndihmës ekonomike. Manastirliu tregoi edhe kategoritë që do të përfitojnë nga kjo rritje.
“Vendimi i parë ka lidhje me rritjen e ndihmës ekonomike, duke filluar nga janari i vitit 2022. Buxheti për mburojën sociale dhe programet sociale është rritur, për programin e ndihmës ekonomike, buxheti është rritur me rreth 15 milionë dollarë.
Nga kjo rritje do të përfitojnë pikërisht familjet që marrin ndihmë ekonomike. Duke filluar nga janari i vitit 2022, do të dyfishohet masa e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje që kanë mbi tre fëmijë, deri në 18 vjeç. Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi, për gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Ndërsa për pjesën tjetër të përfituesve, do të rritet me 10% masa e ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes”, tha ministrja.
Manastirliu bëri të ditur se një tjetër vendim i rëndësishëm është ai që mbështet spitalin Memorial në Fier, i cili ka 6 muaj që po funksionon, sipas ministres, duke rritur gamën e shërbimeve të tij për 330 mijë qytetarëve të tri qarqeve të jugut të vendit. (A2 Televizion)